Krimet e luftës dhe ibriku i thyer i EULEX-it

Kosova veçse e ka një mision të BE-së për sundim të ligjit; ideja për të themeluar një tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë është e tepërt dhe absurde.

 

Nga Donikë Qerimi and Krenar Gashi

 

Në një shaka të moçme të cilën Sigmund Freud e përdori tek “Interpretimi i ëndërrave” flet për një njeri që kishte marrë hua një ibrik tek fqinji i tij. Me t’ia kthyer ibrikun, fqinji e sheh se ai kishte qenë i dëmtuar. I akuzuar se e kishe dëmtuar ibrikun, njeriu përdorë tri argumente të njëpasnjëshme, por jokonsistente, për të mbrojtur veten. Së pari i thotë fqiut se ibrikun ia kishte kthyer në gjendje të rregullt, më pas thotë se ibriku kishte qenë i dëmtuar kur ai e kishte marrë, dhe krejt në fund thotë se kurrë nuk kishte marrë ibrik nga fqiu.

Kjo logjikë e thyer, absurditet që ndodhë kur dikush përdorë argumente që e zhvleftësojnë njëra tjetrën, formëson konceptin e “Logjikës së Ibrikut”. Sot po e përdorim këtë koncept për të ilustruar logjikën e misionit të EULEX-it, i cili në luftën e tij retorike kundër krimeve të luftës, po prodhon argumente të tilla absurde dhe kundërthënëse për të arsyetuar mospunën e tij.

Në vitin 2008, kur EULEX-i erdhi në Kosovë, retorika e këtij misioni ishte diçka kësisoj: “ne do të kemi sukses sepse ne nuk jemi ju,’ apo me fjalë tjera, veç prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë do të mund t’i nxinin “peshqit e mëdhënj” që qëndrojnë prapa krimeve të kryera në Kosovë. Sipas tyre, dëshmitë për krime lufte ekzistonin, por ishte padituria dhe mungesa e vullnetit të kosovarëve për t’i gjetur ato që shfaqeshin si problem. Apo, në logjikën e ibrikut, për EULEXI-n ibriku ishte në gjendje të rregullt.

Pas disa vitesh e disa miliarda eurosh të shpenzuara, aktgjykimet për krime lufte e vepra tjera të rënda janë dëshpëruese. Shumica dërmuese e hetimeve të nisura nga ky mision përfunduan pa ngritje të aktakuzës, ndërsa ato raste që mbërrijtën të shqyrtoheshin në gjykata, në të shumtën e rasteve përfunduan pa sukses. Në të gjitha këto raste, hetuesit, prokurorët e gjyqtarët ishin të gjithë nga EULEX: të paanshëm, të pavarur dhe ndërkombëtarë. Në mungesë rezultatesh, misioni përdori argumentin e dytë të logjikës së thyer: ibriku kishte qenë i dëmtuar kur ata e kishin huazuar, apo, në fjalët e tyre “ne po e bëjmë punën tonë, por dëshmitarët po kërcënohen dhe po zbrapsen ngaqë nuk ka një program për mbrojtjen e dëshmitarëve”.

Në një shoqëri të vogël si Kosova edhe është e vështirë të udhëhiqet një progrem efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve. Megjithatë, EULEX-i, duke e patur mbështetjen e BE-së, e pati një mundësi të tillë. Dëshmitari i parë i rëndëshishëm i cili do të dëshmonte në një rast për krime lufte kundër UÇK-së, vdiq nën rrethana të panjohura në Gjermani, përderisa ishte nën mbrojtjen e EULEX-it. Jo veç dëshmitarët që do dëshmonin kundër shqiptarëve u menaxhuan keq; EULEX-i vullnetarisht kishte publikuar emrin e një dëshmitari të mbrojtur që do të dëshmonte në një rast kundër një grupi të paramilitarëve serbë. Për këtë, u dënua edhe nga vetë paneli për të drejta të njeriut i këtij misioni.

Duke e plasuar idenë për të themeluar një tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë, EULEX-i nuk po thotë gjë tjetër pos po i ndryshon argumentet në stilin “ne as që e huazuam ndonjë ibrik!” e që është argumenti i tretë i kësaj logjike të ibrikut. Kjo ide jo vetëm që shkon kundër gjithckaje për të cilën ky mision është themeluar, por po përdoret edhe për të shmangur përgjegjësinë e misionit për mungesën e rezultateve në ndjekjen e krimeve të luftës.

Kjo kritikë e jona ndaj performancës së EULEX-it nuk nënkpton mohim për krimet e kryera në Kosovë. Luftërat ishin të përgjakshme dhe numri i viktimave nuk përkon me numrin e kriminelëve të dënuar. Me këtë kritikë, ne thjeshtë duam të sqarojmë këtë sjellje të EULEX-it e cila, sipas nesh, karakterizohet me dy elemente kyçe: e para është një tentativë për t’ua lënë përgjegjësinë për mungesë rezulatesh elementeve që janë jashtë kontrollit të tyre dhe, e dyta, një insistim i tyre të përhershëm se rezultatet arrihen lehtë por thjeshtë kushtet dhe mjetet mungojnë.

Pyetja logjike që vjen pas këtij absuditeti logjik është nëse një tribunal i ri do të mund të ishte më efikas sesa që ka qenë EULEX-i deri më tani.

Në dekadat e fundit, tribunalet ndërkombëtare kanë shërbyer me sukses në ndjekjen e krimeve të luftës, pavarësisht se efikasiteti i tyre në vënien e drejtësisë shpesh vihet nën dyshim. Këto tribunale janë themeluar për krimet e kryera në Ruandë, Siera Leone dhe për ish-Jugosllavi, ky i fundit madje mbulon edhe krimet e kryea ne Kosovë. Si trupa ndërkombëtarë të themeluar nga OKB, tribunalet ndërkombëtare ishin mënyra e vetme për të ndjekur krimet e luftës me kohë, sigurtë dhe në mënyrë të pavarur, duke i mundësuar bashkësisë ndërkombëtare që të anashkalojë të gjitha pengesat që e mundshme që dalin nga e drejta ndërkombëtare dhe sovraniteti shtetëror.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, asnjëra nga këto rrethana penguese nuk ekzistojnë. Pikë së pari, këto tribunale, të cilat po duan të përdoren si model, janë themeluar në kohë lufte, kur ishte e pamundur për bashkësinë nderkombetare që të sigurojë qoftë fizikisht apo ligjërisht që një proces gjyqësor mund të zhvillohej në ato vende. Në anën tjetër, lufta e Kosovës ka përfunduar para 15 vitesh. Kosova tanimë ka institucione funksionale, përfshirë ato për sundim të ligjit dhe, përkundër sfidave të tyre për efikasitet, nuk ka vend për argumente për brishtësi të paqes apo përsëritje të konfliktit. Për më tepër, krimet e luftës pothuajse ekslusivisht ndiqen dhe gjykohen nga EULEXi, element ky që e përjashton menjëherë mosefikasitetin e gjykatave vendore nga ky ekuacion.

Së dyti, tribunalet ndërkombëtare zakonisht bëhen në mungesë të stabilitetit politik dhe atij të sigurisë, në kohë lufte, kur bashkësia ndërkombëtare e ka të pamundur që të funksionalizojë ndjekjen e krimeve të luftës nga prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë. Kësisoj, për të anashkaluar gjografikisht dhe ligjërisht çeshtjet që rrjedhin nga sovraniteti i shteteve, janë themeluar tribunale ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së, si mundësi e vetme e qëndrueshme. I gjithë ky organizim është krejtësisht i panevojshëm për Kosovën sot. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, puna e të cilëve rregullohet me Kushtetutën e Kosovës, funskionojnë krejtësisht të pavarur nga autoritetet vendore tash e sa vjet. Zyrtatët e BE-së në Kosovë nuk janë ankuar anjëherë për ndonjë rrezik fizik a institucional të tyre, gjë që e bën rastin e Kosovës shumë të ndryshëm nga ato të konflikteve për të cilat janë ngritur tribunale ndërkombëtare.

Së treti, në të gjitha rastet e tribunaleve ndërkombëtare, numri i krimeve dhe i kryesve të tyre ishte shumë i madh, ndërsa natyra e tyre ishte e panjohur. Në rastin e Kosovës, po diskutohet për themelimin e një tribunali i cili do të merrej me shumë pak raste, të cilat rrjedhin nga një raport i vetëm i Këshillit të Evropës që u përpilua nga Dick Marty. Ky raport nxjerrë dyshime shumë specifike, të ngushta, të kufizuara për kah lënda dhe lloji i veprave që duhen hetuar.

Dhe për hetimin e akuzave të Dick Martyt, EULEXi tashmë e ka themeluar Task Forcën e Vecantë Hetuese brenda misionit. Kjo Task Forcë gëzon pavarësi brenda EULEXit, ndërsa EULEXi është i pavarur nga të gjitha autoritetet Kosovare. Pra, përkundër pamundësisë së supozuar të autoriteteve vendore për të ndjekur krimet e luftës, institucionet e Kosovës kanë pranuar që të anashkalohen nga ato ndërkombëtare kur vjen puna te informatat dhe dëshmitë, duke garantuar kështu hetime të pavarura dhe konfidenciale.

Qeveria e Kosovës, madje, është pajtuar që punën e kësaj Task Force ta lë jashtë bisedimeve për mandatin e EULEX-it.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, ne nuk besojmë që një tribunal ndërkombëtar do të kishte më shumë fuqi, kompetencë apo siguri për të hetuar krimet e luftës sesa këto që tashmë i janë dhënë EULEXit dhe Task Forcës së veçantë. Ndryshimi i natyrës së hetimeve tashmë të nisura nga Task Forca do të përbënte një problem të madh ligjor për Kosovën, meqë për të do nevojiteshin ndryshime substanciale kushtetuese e ligjore. Për më tepër, një gjest i tillë do të ishte një hap prapa në këto hetime dhe vetëm sa do të zgjaste edhe më tej procesin e pajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, proces ky i cili me dialogun për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, po hyn në një fazë të rëndësishme.

Përfundimisht, ideja për një tribunal ndërkombëtar është e tepërt dhe absurde. Kjo ide mund të shihet vetëm si tentativë e rradhës e EULEXit për të përjashtuar pafundësisht përgjegjësinë e tyre për ndjekjen e krimeve të luftës.

Ky artikull është publikuar në Balkan Insight dhe Tribuna.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s